Vjosa N’Fest – Edicioni i katërt po vjen!

VJOSA N'FEST 2024

Vjosa N’Fest u mbajt për të tretin vit radhazi në qytetin e Përmetit më 17, 18 dhe 19 Maj 2024, duke e mbushur atë me përvoja dhe aktivitete të ndryshme për të gjitha moshat. Këtë vit, ndryshe nga edicionet e mëparshme, Vjosa N’Fest solli aktivitete të reja dhe emocionuese për qytetin e Përmetit. Në këtë edicion morën pjesë 14,000 vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët shijuan atmosferën e festës dhe bukurinë e natyrës së zonës.

Disa nga aktivitetet e reja që u zhvilluan gjatë Vjosa N’Fest 3 përfshinë: Mbrëmjen e Poezisë, një workshop biznesi, aktivitetin edukues “Mësojmë duke u argëtuar” në bashkëpunim me DPSHTRR, si dhe eventin “Retro” për të gjithë pasionantët e targave suvenir. Një tjetër nismë me rëndësi ishte “Vjosa sjell lule”, që synonte riciklimin e shisheve plastike, duke theksuar rëndësinë e kujdesit për mjedisin. Po ashtu, gjatë këtyre tre ditëve, kinema e qytetit qëndroi hapur, ku u shfaq filmi “Guxim” i aktorit të njohur shqiptar, Drilon Hoxha. Të gjitha këto aktivitete i dhanë festivalit një dimension të ri dhe më të larmishëm.

Aktivitetet që u zhvilluan

Festivali nisi çdo ditë në mëngjes me panairin artizanal dhe kulinar, duke vazhduar deri në orët e vona me muzikë popullore dhe elektronike, duke krijuar një atmosferë të gjallë dhe festive për të gjithë turistët dhe qytetarët.

Në këtë festival u bashkuan shumë artistë, të cilët ndezën skenën e Vjosa N’Fest në qendër të qytetit. Gjithashtu, DJ të talentuar performuan në skenën elektronike, e cila këtë vit u vendos në ish-bazën ushtarake.

Ky festival solli përvoja të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit që iu bashkuan këtyre tre ditëve të festës. Atmosfera festive, aktivitetet e shumta dhe energjia e veçantë e Vjosa N’Fest krijuan kujtime të jashtëzakonshme për këdo që mori pjesë.

pak nga aktivitetet