VJOSA N'FEST 2023
Më 28, 29 dhe 30 Prill 2023, qyteti i Përmetit u kthye në zemrën e festës dhe mikpritjes me edicionin e dytë të Vjosa n’Fest. Një festival gjithëpërfshirës që mblodhi 12,500 vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët udhëtuan nga e gjithë Shqipëria dhe vende të tjera për të festuar bashkë natyrën, kulturën, muzikën dhe traditat e zonës.


Për tre ditë me radhë, qyteti u mbush me jetë nga mëngjesi deri në orët e para të mëngjesit, ku vizitorët shijuan koncerte live me grupe të njohura folklorike dhe DJ, panair artizanale dhe kulinarie, aktivitete për fëmijë dhe shumë aktivitete sportive e natyrore.
Deklarimi i lumit Vjosa si Park Kombëtar e ka kthyer mbrojtjen e mjedisit në prioritet, duke e shndërruar turizmin e përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm në një kauzë të përbashkët.
Aktivitetet kryesore të festivalit përfshinë:
Koncerte me muzikë popullore, live dhe DJ.
Panair artizanale dhe kulinarie.
Zonë argëtimi për fëmijë me lojëra popullore, tullumbace dhe aktivitete kreative.
Sporte natyrore si rafting në lumin Vjosa, trekking në Kishën e Leusës dhe në Bredhin e Hotovës, hiking në Ujërat Termale të Bënjës.
Fluturime me balonën e madhe me gaz, që ofroi pamje mahnitëse të qytetit nga ajri.
Shëtitje me kuaj dhe Mountain Bike Fest.
Aktivitetet që u zhvilluan












Në fokus të festivalit ishte promovimi i turizmit të qëndrueshëm dhe mbështetja e bizneseve lokale. U krijua një databazë me të gjitha strukturat akomoduese të qytetit dhe fshatrave përreth, si dhe me operatorët turistikë që ofrojnë rafting, hiking, trekking dhe guida kulturore. Kjo iniciativë synon ta kthejë Përmetin dhe zonën përreth në një destinacion të konkurueshëm turistik në tregun kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.

Vjosa n’Fest mbetet një model suksesi se si kultura, natyra dhe bashkëpunimi komunitar mund të ndërtojnë së bashku një ofertë turistike dinjitoze dhe tërheqëse, që ruan vlerat dhe frymën e Përmetit dhe Vjosës së egër e të lirë.
pak nga aktivitetet













