Vjosa N’Fest – Edicioni i katërt po vjen!

Edicioni 4

“Vjosa N’Fest” – Edicioni i 4-të, që do të zhvillohet më 23-24 maj 2025 në Memaliaj, sjell një festë dyditore me aktivitete të pasura dhe të larmishme për të gjitha moshat. Nga koncertet muzikore në shesh dhe stadium, tek tingujt elektronikë pranë urës, panairi i artizanatit dhe kulinarisë lokale, mbrëmjet poetike, hapësira kreative për fëmijë, hipizëm, hiking, ekspozita arti, paintball, rafting në Vjosë, workshope biznesi, guida kulturore, kinema në ambient të hapur dhe konkursi i fotografisë – ky festival ofron një përvojë të paharrueshme që bashkon natyrën, artin, kulturën dhe argëtimin në një ngjarje unike për të gjithë komunitetin.

Edicioni 3

Vjosa N’Fest u mbajt për të tretin vit radhazi në qytetin e Përmetit më 17, 18 dhe 19 Maj 2024, duke e mbushur atë me përvoja dhe aktivitete të ndryshme për të gjitha moshat. Këtë vit, ndryshe nga edicionet e mëparshme, Vjosa N’Fest solli aktivitete të reja dhe emocionuese për qytetin e Përmetit. Në këtë edicion morën pjesë 14,000 vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët shijuan atmosferën e festës dhe bukurinë e natyrës së zonës.

Disa nga aktivitetet e reja që u zhvilluan gjatë Vjosa N’Fest 3 përfshinë: Mbrëmjen e Poezisë, një workshop biznesi, aktivitetin edukues “Mësojmë duke u argëtuar” në bashkëpunim me DPSHTRR, si dhe eventin “Retro” për të gjithë pasionantët e targave suvenir.

Edicioni 2

Më 28, 29 dhe 30 Prill 2023, qyteti i Përmetit u kthye në zemrën e festës dhe mikpritjes me edicionin e dytë të Vjosa n’Fest. Një festival gjithëpërfshirës që mblodhi 12,500 vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët udhëtuan nga e gjithë Shqipëria dhe vende të tjera për të festuar bashkë natyrën, kulturën, muzikën dhe traditat e zonës.

Për tre ditë me radhë, qyteti u mbush me jetë nga mëngjesi deri në orët e para të mëngjesit, ku vizitorët shijuan koncerte live me grupe të njohura folklorike dhe DJ, panair artizanale dhe kulinarie, aktivitete për fëmijë dhe shumë aktivitete sportive e natyrore.

Edicioni 1

Edicioni i parë i Vjosa N’Fest u zhvillua me shumë sukses në datat 27, 28 dhe 29 maj, duke sjellë për tre ditë me radhë me 2500 vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni.
Në qendër të këtij festivali ishte lumi Vjosë, i cili u kthye në protagonistin absolut të aktiviteteve, duke u promovuar si një pasuri natyrore që duhet mbrojtur dhe vlerësuar.
 Festivali ofroi një program të pasur dhe të larmishëm aktivitetesh për të gjitha moshat dhe shijet, ku përveç ciklizmit, jeep tour, garave me motorra, trekking dhe hapsirave për fëmijët, vizitorët patën mundësinë të shijonin edhe mbrëmje të mbushura me muzikë folk dhe muzikë elektronike nga artistë të njohur vendas dhe të huaj.